Tiranë, 15 maj 2026 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë organizoi simpoziumin “Së Bashku për Familjen”, me pjesëmarrjen e krerëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare, anëtarëve të Bordit të Presidencës, Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë.
Aktiviteti i zhvilluar në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashinae u hap me fjalë përshëndetëse nga drejtuesit e komuniteteve fetare, ndër ta Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetar i KNFSH-së dhe Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësi Asti, Mitropolit i Beratit – Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Mons. Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Tiranës dhe Durrësit – Kisha Katolike në Shqipëri dhe Pastor Erion Sylari, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e familjes si themel i shoqërisë, hapësirë e edukimit moral e shpirtëror dhe burim i dashurisë, respektit, përgjegjësisë dhe solidaritetit.
Në fjalën e tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj theksoi se familja është “shkolla e virtytit, tempulli i edukimit moral dhe burimi i paqes shpirtërore”, duke nënvizuar se nuk mund të ketë paqe në shoqëri pa paqe në familje. Ai vuri në dukje se traditat fetare, pavarësisht dallimeve, bashkohen në mbrojtjen e shenjtërisë së familjes dhe në promovimin e dashurisë ndërmjet bashkëshortëve, respektit ndaj prindërve, kujdesit për fëmijët dhe dinjitetit njerëzor.
Gjatë aktivitetit u zhvilluan fjalime dhe diskutime mbi vlerat familjare në traditat fetare, rolin e komuniteteve fetare në mbështetjen e familjes, si dhe sfidat me të cilat përballet familja sot. Simpoziumi i moderuar nga znj. Sheldiana Jano Agaraj, trajtoi tema si emigracioni dhe ndikimi i tij në strukturën familjare, teknologjia dhe marrëdhëniet brenda familjes, edukimi dhe roli i prindërimit, sfidat aktuale për gratë, si dhe nevoja për rekomandime konkrete në mbrojtje të stabilitetit familjar.
Në përmbyllje, Bordi i Presidencës së KNFSH-së doli me një deklaratë për shtyp, ku riafirmoi angazhimin për mbrojtjen dhe forcimin e familjes si bërthama e paqes, edukimit dhe harmonisë shoqërore. Në deklaratë theksohet se familja është themeli i vlerave njerëzore dhe se mbrojtja e saj është një përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe kombëtare. KNFSH u bëri thirrje familjeve, institucioneve dhe komuniteteve që të punojnë së bashku për të ruajtur dhe forcuar familjen, duke uruar paqe, shëndet dhe begati për çdo familje shqiptare.











