Home
KNFSH përfshihet si model suksesi në raportin më të fundit të OSBE-së

KNFSH përfshihet si model suksesi në raportin më të fundit të OSBE-së

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) është përfshirë si një praktikë e suksesshme në raportin më të fundit të publikuar nga OSBE-ja, me titull “Të kuptuarit e krimeve të urrejtjes ndaj të krishterëve dhe adresimi i nevojave për siguri të komuniteteve të krishtera – Udhëzues praktik” (“Understanding Anti-Christian Hate Crimes and Addressing the Security Needs of Christian Communities – A Practical Guide”).

Ky raport vjen pas publikimit më parë të një raporti mbi islamofobinë dhe antisemitizmin.

Në raport theksohet se, Shqipëria njihet prej vitesh si një model i bashkëjetesës paqësore mes komuniteteve të ndryshme fetare në Europë, gjë që është theksuar edhe në konferencën ndërkombëtare të vitit 2018 (ICID) me temën “Albania, a Model of Interfaith Harmony for Europe?”. Ky vlerësim është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të aktorëve fetarë dhe institucionalë në nivel kombëtar.

KNFSH, si një strukturë përfaqësuese e pesë komuniteteve fetare në vend – myslimanë sunitë, ortodoksë, katolikë, bektashinj dhe ungjillorë – ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e dialogut ndërfetar dhe në luftën kundër dezinformimit dhe paragjykimeve për fenë në shoqëri, sidomos tek të rinjtë.

Raporti i OSBE-së thekson gjithashtu se, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka themeluar një Departament për Gratë dhe të Rinjtë, i cili organizon takime dialogu dhe vizita studimore ndërfetare në mbarë vendin. Gjithashtu, në momente të rëndësishme politike, apo sociale (si zgjedhjet apo periudha e pandemisë COVID-19), KNFSH ka reaguar me deklarata për opinionin publik dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërkomunitar. Për këto përpjekje, ai është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në raport vihet në dukje edhe bashkëpunimi ndërfetar akademik, ku prej vitit 2015, departamentet e tre teologjive në bashkëpunim me universitetet Bedër dhe Logos, kanë organizuar 13 simpoziume të përbashkëta ndërfetare, ku kanë mbledhur së bashku studentë dhe pedagogë për diskutime akademike e vizita ndërfetare në vendet e kultit të ndryshme në Shqipëri.

Këtyre nismave u janë bashkuar edhe shkolla verore ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar, të organizuara nga delegacione të huaja dhe institucione ndërkombëtare në bashkëpunim me KNFSH-në dhe departamentet teologjike, duke e kthyer Shqipërinë në një platformë të rëndësishme bashkëpunimi dhe shkëmbimi ndërfetar në rajon dhe më gjerë.

📌 Këto shembuj të praktikave më të mira të dialogut ndërfetar janë hartuar nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, anëtar i Panelit të Ekspertëve për Lirinë e Besimit pranë OSBE/ ODIHR. Referenca të ngjashme janë përfshirë edhe në raportin e fundit për lirinë e besimit, hartuar nga OSBE/ODIHR, Belief, Dialogue and Security, fq. 57.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip