Më datë 30 maj pranë qendrës kulturore “Atë Zef Valentini” në Tiranë, u zhvillua promovimi i librit “Kryqi dhe Islami, sfida dhe reflektime për takimin mes të krishterëve dhe myslimanëve”, me autor Prof. Ambrogio Bongiovanni, profesor dhe drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërfetare të Universitetit Papnor Gregorian të Romës. Ky event u organizua nga një bashkëpunim i gjerë i famullisë “Shën Piu X-të” Elbasan, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan, Qendra Kulturore “Atë Zef Valentini”, Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik, si edhe nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë.
Aktiviteti u hap me përshëndetjet e Mons Gjergj Meta, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Mons. Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit Tiranë – Durrës, Dom Dorian Mjeshtri, kurator i përkthimit të librit e famullitar i “Shën Piu i X-të” Elbasan, ndërsa folën dhe mbajtën nga një kumtesë Dr. Arben Ramkaj President i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar – Elbasan, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, President i Këshillave Ndërfetarë të Europës (Religions for Peace Europe) dhe Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së, Dr. Hysni Skura, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Atë Mario Imperatori S.J. teolog, profesor në Fakultetin e Teologjisë së Italisë Jugore në Napoli, si dhe znj. Loreta Tomaj psikologe dhe përkthyese e librit. Në emër të rektorit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan Prof. Dr. Elvira Fetahu, përshëndeti dhe Prof. Asoc. Dr. Elisabeta Osmanaj, Dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale të këtij Universiteti.
Në këtë aktivitet morën pjesë i ngarkuari me punë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri Mons. Ionut Paul Strejac, Hirësi Andon Sirdani Peshkop i Elbasanit dhe Librazhdit, Myfti Agim Duka, Pop Andrea Ranxa dhe shumë besimtarë të besimeve të ndryshme fetare.
Eventi u moderua nga znj. Elona Mustafaraj, psikologe dhe anëtare e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan.
Gjatë ndërhyrjeve u theksua rëndësia e paraqitjes së këtij studimi në shqip, pasi jep një mundësi reale për t’u ballafaquar në një klimë dialogu mbi tema teologjikë.
Në fund të aktivitetit autori i librit prof. Ambrogio Bongiovanni, falënderoi të gjithë të ftuarit për pjesëmarrjen dhe hapësirën e dhënë trajtimit të këtyre temave. Marrëdhënia është themelore për ndërtimin e dialogut, i cili kërkon durim, studim, e mbi të gjitha hapje ndaj tjetrit. Kujtdo besimi t’i përkasim, tha në përfundim e sipër prof. Ambrogio, qëllimi i fundit i të gjithëve, nuk është e nuk mund të jetë një formulë e thjeshtë institucionale, apo doktrinore, por kërkimi i së vërtetës dhe takimi me Zotin.
Takimi u mbyll në një klimë harmonie e vëllazërie dhe me perceptimin e dëshirën për të kultivuar e rritur, pikërisht, harmoninë e vëllazërinë.