Forumi për Dialog Ndërkulturor (FIDeV), me qendër në Frankfurt të Gjermanisë, i cili që prej vitit 2003 organizon udhëtime ndërkombëtare dhe ndërkulturore në mbarë botën, në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe disa institucione të tjera partnere, organizoi një vizitë studimore në Shqipëri përgjatë datave 17–24 prill 2025.
Qëllimi i kësaj vizite ishte të thellonte njohuritë e pjesëmarrësve mbi modelin unik të bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe të forconte lidhjet ndërkulturore, përmes një programi të pasur që përfshinte vizita në qytete historike, institucione fetare, si dhe qendra kulturore e akademike.
Gjatë vizitave në komunitetet fetare dhe institucionet akademike ata janë pritur nga kreu i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, Kryepeshkopi i KOASH, Fortlumturi Joani, Arqipeshkvi i Shkodrës, Mons. Giovanni Peragine, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj, rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Gjergji Sinani, rektori i Universitetit Epoka Prof. Ahmet Oztas, etj. Delegacioni gjerman gjatë kësaj vizite studimore disa ditore është shoqëruar nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së dhe njëkohësisht President i Religions for Peace Europe.
Gjatë udhëtimit, pjesëmarrësit vizituan qytetet Tiranë, Shkodër, Berat, Krujë dhe Durrës, ku zhvilluan takime me përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të shoqërisë civile. Vizitat përfshinë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Arqipeshkvinë Metropolitane të Shkodrës, Qendrën Botërore Bektashiane, Universitetin Bedër, objekte të ndryshme kulti, si Xhamia e Et’hem Beut, Katedralja Katolike në Tiranë dhe Shkodër, Katedralja Ortodokse në Tiranë, si dhe Medresenë e Tiranës, Universitetin Epoka, Muzeun Kombëtar “Marubi”, BunkArt 1, e një sërë monumentesh kulturore me rëndësi historike në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Kjo nismë përfaqëson një përpjekje konkrete për të promovuar dialogun ndërfetar, bashkëpunimin akademik dhe mirëkuptimin kulturor, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si një model unik i harmonisë fetare dhe mikpritjes.
Në këtë udhëtim merrnin pjesë personalitete të njohura të fushës së dialogut ndërfetar, përfaqësues të organizatave fetare, akademikë dhe aktivistë nga Gjermania dhe më gjerë, përfshirë përfaqësues nga Forumi për Dialog Ndërkulturor (FIDeV), Departamenti për Dialog Ndërfetar i Ordinariatit të Kryedioqezës së Mynihut dhe Forumi Abrahamik në Gjermani.