Më datë 16 prill 2025, në sallën e bibliotekës së “Albanian University”, u zhvillua një aktivitet shkencor në kuadër të infrastrukturës kërkimore shkencore të projektit evropian RESILIENCE. Ky aktivitet u realizua falë bashkëpunimit të “Albanian University” me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja.
Në këtë aktivitet, Prof. Kruja mbajti një ligjëratë me temë: “Dialogu Ndërfetar dhe Roli i Prijësve Fetarë në Shtetformimin Shqiptar”, ku theksoi rëndësinë historike dhe kombëtare të kontributit të komuniteteve fetare dhe prijësve të tyre në krijimin e shtetit shqiptar. Ai solli në vëmendje, përmes dokumentacionit dhe analizës shkencore, thesaret e fshehura të veprimtarisë së disa prej figurave më të spikatura fetare që kanë kontribuar në shërbim të kombit dhe shtetit, duke trajtuar njëkohësisht edhe sfidat e diversitetit fetar në Shqipëri.
Aktiviteti u moderua nga Prof. Dr. Kaliopi Naska, e cila vlerësoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje në kontekstin e studimeve mbi bashkëjetesën fetare dhe historinë kombëtare, duke falënderuar Prof. Krujën për prezantimin e kësaj teme të rëndësishme, që vijon të frymëzojë brezat e rinj në kërkimin shkencor dhe njohjen e mëtejshme të kontributit të prijësve fetarë në historinë shqiptare.
Ky takim shkencor u mirëprit nga pedagogë dhe studentë të pranishëm, të cilët shprehën interes të madh dhe drejtuan pyetje të shumta rreth temës së trajtuar. Përgjigjet dhe informacionet e dhëna nga Prof. Kruja shërbyen për pasurimin akademik të pjesëmarrësve, duke ofruar një bazë të vlefshme për studime të mëtejshme mbi rolin historik të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe për forcimin e ndërgjegjes kombëtare.