Home
Ambasadorja e Austrisë zhvillon vizitë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë

Ambasadorja e Austrisë zhvillon vizitë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë

Tiranë, 17.04.2025 – Ambasadorja e Austrisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Saj znj. Monika Zach, e shoqëruar nga Zëvendësambasadori z. Martin Schaller, zhvilloi një vizitë zyrtare në ambientet e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH).

Gjatë kësaj vizite, ata u pritën nga Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, si dhe nga anëtarë të Departamentit të Rinisë në kuadër të Këshillit. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me dialogun ndërfetar, bashkëjetesën paqësore dhe angazhimin e të rinjve në nxitjen e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar.

Ambasadorja Zach vlerësoi punën e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë si një model i suksesshëm për promovimin e harmonisë ndërfetare në rajon, duke shprehur mbështetjen e Ambasadës Austriake për nisma të tilla që fuqizojnë paqen sociale dhe përfshirjen e brezit të ri në procese të rëndësishme dialogu.

Nga ana e tij, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja falënderoi Ambasadoren për interesin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj punës së KNFSH-së, duke theksuar rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e vlerave të përbashkëta të respektit, bashkëjetesës dhe dialogut.

Vizita u mbyll me shprehjen e vullnetit të ndërsjellë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në edukimin e të rinjve dhe fuqizimin e iniciativave ndërfetare në Shqipëri dhe më gjerë.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip