7 Janar 2025 – Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja është zgjedhur unanimisht Presidenti i ri i organizatës ndërkombëtare “Religions for Peace, Europe” (Fetë për Paqe, Evropë). Zgjedhjet u realizuan gjatë mbledhjes së Bordit të RfP-së për Evropën, ku morën pjesë përfaqësues nga katër bashkëkomitetet: Këshillat Ndërfetarë Evropianë (ENIB), Këshilli Evropian i Udhëheqësve Fetarë (ECRL), Rrjeti Evropian i Grave të Besimit (EWFN), dhe Rrjeti Evropian i Rinisë Ndërfetare (EIYN).
Rreth Prof. Genti Kruja
Prof. Genti Kruja është një akademik dhe ekspert i njohur në fushën e dialogut ndërfetar dhe studimeve fetare. Ai është pedagog në Kolegjin Universitar Bedër dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Prof. Kruja ka kontribuar në shumë konferenca ndërkombëtare, që trajtojnë çështje si liria fetare, arsimi dhe dialogu ndërfetar. Ai është autor i disa punimeve shkencore dhe librave, duke përfshirë “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar” dhe “Historia e Dialogut Ndërfetar”.
Prej disa vitesh ai ushtron disa detyra prestigjioze si, anëtar i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (GERIS) dhe si ekspert i Lirisë së Besimit në Zyrën e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në Varshavë. Në vitin 2021, ai mori pjesë në një program shkëmbimi akademi të sponsorizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në Universitetin Seattle, SHBA. Në vitin 2022 u zgjodh Zëvendës President i European National Interreligious Bodies (ENIB) dhe në shkurt 2024 u zgjodh President i ENIB, njësi në varësi të Religions for Peace Europe.
Si President i ri i RfP Europe, Prof. Kruja sjell një përvojë të pasur dhe një angazhim të thellë për të nxitur paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare. Nën drejtimin e tij, RfP Europe do të vazhdojë të përmbushë misionin e saj për të promovuar bashkëpunimin ndërfetar, forcimin e këshillave ndërfetare dhe themelimin e atyre të rinj. Prof. Kruja ka theksuar angazhimin e RfP për të fuqizuar rolin e liderëve fetarë, rolin e gruas dhe të rinjve në përpjekjet për ndërtimin e paqes dhe në forcimin e bashkëpunimit institucional për të adresuar sfidat globale dhe për të ndërtuar një Evropë më paqësore dhe gjithëpërfshirëse.