Ditën e hënë me datë 8 shkurt 2021, Caritasi Shqiptar në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë kanë organizuar konferencën kombëtare: Besimet fetare kundër trafikimit të Qenieve Njerëzore në Shqipëri, zhvilluar në sallën e konferencave të Universitetit Katolik ?Zoja e Këshillit të Mirë?, Tiranë.
Seanca e parë, moderuar nga Ariela Mitri është hapur nga fjala përshëndetëse e Mons. Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ndërsa më pas konferenca është përshëndetur nga Nunci Apostolik në Shqipëri Shkëlqesia e Tij, Imzot Luigi Bonazzi. Seanca ka vazhduar me fjalën e znj. Alma Tandilli, kreu i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Seanca e dytë e moderuar nga Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe titulluar ?Mbrojtja e dinjitetit të njeriut nga çdo formë shfrytëzimi dhe abuzimi?, përbëhej nga drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, ku kanë mbajtur kumtesën e tyre, H. Bujar Spahiu, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve dhe njëkohësisht Kryetar i KNFSH-së; Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; At Grigor Pelushi, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe Mons. Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Metropolit Shkodër-Pult.
Pas fjalës së përfaqësuesve më të lartë të komuniteteve fetare, ka folur dhe Motër Alma për modelin e punës për Mbrojtjen e Viktimave në qendrën sociale ?Rozalba?.
Trafikimi i Qenieve Njerëzore është një realitet që prek personat më të dobët të shoqërisë si: gratë dhe fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, të varfërit, migrantët, të cilët vijnë nga realitete të vështira familjare dhe sociale. Nga pikpamja fetare, shenjtëria e jetës njerëzore, që nga ngjizja deri në vdekjen e saj natyrore dhe dinjiteti i pacenueshëm i çdo qenie njerëzore, përbëjnë pikënisjen dhe boshtin qendror të çdo nisme apo angazhimi të përbashkët.
Kjo konferencë kishte për qëllim të prezantonte situatën e trafikimit në vendin tonë, të paraqiste qëndrimet dhe orientimet e çdo komuniteti fetar në Shqipëri kundër këtij fenomeni, si dhe të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve fetare dhe aktorëve kryesor.
Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, aktorë institucional dhe të shoqerisë civile të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe përfaqësues nga ambasada e SHBA-së në Tiranë.