Home
Tirana mirëpret Forumin Europian Ndërfetar për “Lulëzimin e Përbashkët Shpirtëror”

Tirana mirëpret Forumin Europian Ndërfetar për “Lulëzimin e Përbashkët Shpirtëror”

Tiranë, 21 korrik 2026 – Përfaqësues të këshillave ndërfetarë, komuniteteve fetare, institucioneve publike, botës akademike dhe shoqërisë civile nga shtatë vende europiane u mblodhën në Tiranë në kuadër të Forumit Europian Ndërfetar dhe Dialogut Rajonal Shumëpalësh “Shared Sacred Flourishing – Lulëzimi i Përbashkët Shpirtëror”.

Forumi u zhvillua në Sallën e Muzeut të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe u organizua nga Religions for Peace International, Religions for Peace Europe dhe European National Interreligious Bodies , në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë – Religions for Peace Albania, komunitetet fetare dhe partnerë kombëtarë e lokalë.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërfetar dhe për ta shndërruar dialogun në veprim konkret në shërbim të paqes, dinjitetit njerëzor, drejtësisë sociale dhe kujdesit për mjedisin.

Në hapje të Forumit përshëndetën znj. Deepika Singh, Zëvendës-sekretare e Përgjithshme e Religions for Peace International; Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashinjve; H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturia e Tij Joani, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë; Mons. Gjergj Meta, President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë; Pastor Erion Sylari, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; Klodjan Bulku, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet; si dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, President i Religions for Peace Europe dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Në fjalën e mirëseardhjes, H. Dede Edmond Brahimaj e cilësoi Shqipërinë si një vend ku harmonia ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë, por një traditë e gjallë, e trashëguar ndër breza. Ai theksoi se, megjithëse traditat fetare janë të ndryshme, ato bashkohen rreth vlerave të përbashkëta të paqes, drejtësisë, mëshirës, dinjitetit njerëzor dhe shërbimit ndaj njerëzimit. Sipas tij, Forumi nuk përfaqëson vetëm një seri diskutimesh, por një udhëtim të përbashkët nga kuptimi i traditave të shenjta drejt veprimit konkret.

Bujar Spahiu nënvizoi se zhvillimi i vërtetë i njeriut nuk mund të matet vetëm përmes mirëqenies materiale, pasi njeriu është trup dhe shpirt. Ai theksoi se dialogu ndërfetar nuk kërkon heqjen dorë nga bindjet fetare, por ta jetosh me sinqeritet besimin, duke respektuar njëkohësisht lirinë dhe dinjitetin e tjetrit. Në fjalën e tij ai bëri thirrje për investim më të madh te të rinjtë, drejtësinë sociale, mbrojtjen e mjedisit dhe projekte të përbashkëta, që u shërbejnë njerëzve pa dallim feje apo kombësie.

Fortlumturia e Tij Joani theksoi se prania e përfaqësuesve të traditave të ndryshme fetare në të njëjtën hapësirë është një dëshmi publike se njeriu mund t’i qëndrojë besnik identitetit të vet shpirtëror dhe njëkohësisht t’i afrohet tjetrit me respekt, mirëkuptim dhe dashuri. Ai solli në vëmendje trashëgiminë e Kryepiskopit të ndjerë Anastas dhe “kërkimin e së Shenjtës” si një udhë drejt paqes dhe vëllazërisë, duke theksuar se emri i Perëndisë nuk mund të përdoret kurrë për të përligjur urrejtjen, dhunën apo poshtërimin e njeriut.

Mons. Gjergj Meta u ndal te dinjiteti i njeriut, i cili buron nga prania e së shenjtës brenda tij, si dhe te përgjegjësia për ta mbrojtur jo vetëm qenien njerëzore, por edhe krijimin. Ai bëri thirrje për një angazhim të vazhdueshëm në favor të drejtësisë dhe paqes, duke theksuar se komunitetet fetare duhet të jenë dëshmi e qartë e së shenjtës në shoqëri, pavarësisht vështirësive dhe sfidave të kohës.

Nga tradita ungjillore, Pastor Erion Sylari theksoi se çdo njeri mbart një dinjitet të patjetërsueshëm, i cili nuk përcaktohet nga kombësia, feja, statusi ekonomik apo bindjet politike. Ai vuri në dukje se feja duhet të dëshmohet jo vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes kujdesit për familjet në nevojë, edukimit të të rinjve, mbrojtjes së krijimit dhe ndërtimit të urave të mirëkuptimit. Ai u bëri thirrje veçanërisht të rinjve që ta shohin respektin ndaj tjetrit jo si dobësim, por si forcim të identitetit të tyre fetar.

Z. Klodjan Bulku, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet, theksoi se bashkëjetesa ndërmjet besimeve fetare është një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë shqiptare dhe një trashëgimi që tashmë ka kapërcyer kufijtë kombëtarë. Ai riafirmoi angazhimin institucional për të mbështetur çdo nismë që forcon dialogun ndërfetar, lirinë e besimit dhe respektin e ndërsjellë.

Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, President i Religions for Peace Europe, theksoi se identiteti i organizatës shprehet përmes parimit “Besime të ndryshme – Veprim i përbashkët”. Sipas tij, Europa ka nevojë për komunitete fetare që angazhohen në mënyrë konstruktive në jetën publike, për liderë që flasin qartë kundër urrejtjes, dhunës dhe diskriminimit, si dhe për gra dhe të rinj që nuk janë vetëm pjesëmarrës, por liderë, trajnerë dhe vendimmarrës. Ai bëri thirrje që takimi i Tiranës të shënojë kalimin “nga bashkëjetesa te bashkëpunimi, nga dialogu te shërbimi i përbashkët dhe nga nismat e fragmentuara te veprimi i koordinuar”.

Në fjalën e saj, znj. Deepika Singh e cilësoi Tiranën si një urë historike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe një vend të përshtatshëm për zhvillimin e këtij programi. Ajo shpjegoi se Shared Sacred Worldview është një perspektivë gjithëpërfshirëse shpirtërore, e cila nuk kërkon braktisjen e identiteteve teologjike, por njohjen e së shenjtës te çdo njeriu. Ajo theksoi se pjesëmarrësit nuk janë vetëm përfitues të trajnimit, por “ambasadorë”, që do ta çojnë metodologjinë në këshillat ndërfetarë, komunitetet dhe vendet e tyre, duke e shndërruar në programe, politika dhe veprime konkrete.

Forumi është pjesë e programit rajonal pesëditor “Shared Sacred Flourishing Regional Forum and Training of Trainers – Europe”, i cili përfshin trajnime, dialog shumëpalësh, vizita në komunitetet fetare dhe institucione, si dhe vizita studimore në Tiranë, Krujë, Shkodër dhe Durrës.

Në përfundim të programit, pjesëmarrësit pritet të hartojnë plane kombëtare për zhvillimin e konsultimeve, përfshirjen e grave dhe të rinjve, angazhimin e institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe zbatimin e nismave konkrete në nivel lokal, kombëtar dhe europian.

Forumi riafirmoi se përvoja shqiptare e harmonisë ndërfetare nuk është vetëm një trashëgimi për t’u ruajtur, por edhe një përgjegjësi për t’u përcjellë brezave të ardhshëm dhe një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe bashkëpunimin në Europë.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English