Home
Presidenti Begaj pret përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Europës

Presidenti Begaj pret përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Europës

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti në një takim të veçantë përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Europës, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të të një aktiviteti ndërkombëtar.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti  si një platformë për forcimin e dialogut ndërfetar dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare në Europë.

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria përfaqëson një model të veçantë të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare dhe mikpritjes.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e forumit si një platformë për forcimin e dialogut ndërfetar dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare në Europë.

Kreu i Shtetit theksoi se “Shqipëria përbën një model të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare si dhe mikpritjes. Këto vlera janë pjesë e identitetit tonë dhe uroj që, gjatë qëndrimit tuaj, t’i prekni nga afër”, u shpreh Presidenti gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë.

Gjithashtu Presidenti theksoi se shoqëria shqiptare si mbartëse e këtyre vlerave arriti t’i mbijetojë kohërave më të errëta të besimit:

“Megjithëse regjimi diktatorial e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, shembi objektet e kultit apo ndryshoi destinacionin e tyre, ai nuk arriti dot të zhbënte besimin e shqiptarëve në Zot”, vijoi Presidenti Begaj.

Ai u ndal gjithashtu te vlera që ka për shoqërinë shqiptare respektimi i besimit të tjetrit.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare.

Delegacioni kryesohej nga Prof. Genti Kruja, President i Këshillave Ndërfetarë të Europës dhe i Religions for Peace Europe, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Prof. Kruja falënderoi Presidentin Begaj për pritjen dhe për vëmendjen e vazhdueshme ndaj rolit të komuniteteve fetare dhe dialogut ndërfetar në vend. Ai prezantoi temën, qëllimet dhe rëndësinë e aktivitetit ndërkombëtar që po zhvillohet në Tiranë, duke theksuar se zgjedhja e Shqipërisë nga Religions for Peace nuk është e rastësishme.

Sipas tij, Shqipëria përfaqëson një mjedis të natyrshëm dhe domethënës për zhvillimin e Forumit Europian dhe të Trajnimit të Trajnerëve nga 7 Këshilla Ndërfetarë të Europeës, për shkak të traditës së saj të konsoliduar të harmonisë, respektit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve fetare.

“Paqja nuk ndërtohet vetëm përmes institucioneve dhe marrëveshjeve, por edhe përmes besimit, respektit të ndërsjellë dhe angazhimit të përbashkët të komuniteteve fetare për dinjitetin njerëzor dhe të mirën e përbashkët”, theksoi Prof. Kruja.

Aktiviteti zhvillohet në Tiranë nga data 20 deri më 24 korrik 2026 dhe përfshin Forumin Europian Ndërfetar, Trajnimin e Trajnerëve mbi dialogun ndërfetar, vizita në komunitetet fetare, takime institucionale dhe aktivitete të njohjes me trashëgiminë fetare, historike dhe kulturore të Shqipërisë. Ai organizohet nga Religions for Peace International, Religions for Peace Europe, European National Interreligious Bodies, në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, komunitetet fetare dhe partnerë kombëtarë e lokalë.

Në aktivitetin e Tiranës marrin pjesë përfaqësues të Këshillave Ndërfetarë, komuniteteve të besimit, rrjeteve të grave dhe të rinjve, si dhe aktorë të shoqërisë civile nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja. Programi synon të forcojë kapacitetet e aktorëve ndërfetarë në iniciativa konkrete në nivel kombëtar dhe lokal.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English