Home
KNFSH zhvillon Forum Ndërfetar në Gjirokastër

KNFSH zhvillon Forum Ndërfetar në Gjirokastër

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka organizuar një forum ndërfetar në qytetin e Gjirokastrës me pjesëmarrjen e liderëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare të qarkut, drejtues të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, si dhe anëtarë të Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Rinisë në KNFSH.

Aktiviteti është hapur me fjalën përshëndetëse të kryetarit të KNFSH-së Pastor Dr. Ylli Doçit dhe më pas kanë folur dhe përfaqësues të komuniteteve fetare të qarkut Gjirokastrës, përfaqësuesi i UNHCR-së Gjirokastër z. Refik Aliko, si dhe përfaqësues nga Caritasi.

Në këtë forum kanë folur dhe diskutuar gjithashtu dhe të rinj e të reja nga Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në KNFSH për rëndësinë e këtyre aktiviteteve në rritjen e kapaciteteve të rinisë në promovimin e dialogut dhe humanitarizmit nëpërmjet këtij lloj bashkëpunimi.

Kryetari i KNFSH-së Pastor Dr. Ylli Doçi në fjalën e tij është ndaluar në shpjegimin e dialogut ndërfetar, ndërsa Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar ka folur për rolin e institucioneve fetare dhe atyre akademike të komuniteteve fetare në promovimin e dialogut ndërfetar, si një model për brezat e rinj, si dhe për punën dhe aktivitetet e kësaj fushe zhvilluar vitet e fundit.

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të promovimit të vlerave universale, harmonisë dhe dialogut ndërfetar në vendin tonë, ku këtë radhë KNFSH është ndalur në qytetin e Gjirokastrës me përfaqësues të pesë komuniteteve fetare të tij.

Forumi Ndërfetar është zhvilluar me mbështetjen e UNHCR-së dhe Caritasit Shqiptar./27.03.2022

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English