Home
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dënon me forcë krimet e ISIS

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dënon me forcë krimet e ISIS

Bashkësitë fetare në Shqipëri përmes Këshillit Ndërfetar kanë dalë në një deklaratë të përbashkët duke dënuar krimet që po kryhen nga ISIS në Irak. Ndërkohë ata i bëjnë apel Faktorit Ndërkombëtar, që të gjejë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të ndalet ky fenomen.

Bashkësitë fetare në Shqipëri përmes Këshillit Ndërfetar kanë dalë në një deklaratë të përbashkët duke dënuar krimet që po kryhen nga ISIS në Irak.

Ndërkohë ata i bëjnë apel Faktorit Ndërkombëtar që të gjejë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të ndalet ky fenomen.

Gjithashtu shprehim solidaritet me të gjithë ata që vuajnë jo vetëm në Irak, por në të gjitha vatrat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

 

Deklarata e plotë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe anëtarët e tij, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, mbështetur dhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, po ndjekin me shqetësim situatën, që po ndodh këto ditë në Lindjen e Mesme, në mënyrë të veçantë përndjekjen kriminale, që terroristët e ISIS në Irak po ushtrojnë ndaj popullsisë lokale të krishterë, madje edhe ndaj myslimanëve dhe minoriteteve të tjera, e në mënyrë mizore përndjekjen dhe dëbimin e detyruar me dhunë të të krishterëve irakenë dhe të irakenëve të feve të tjera prej vendit të tyre. Ne dënojmë me forcë akte të tilla kriminale, që nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve tona.

Lusim Zotin, i Cili na ka krijuar të gjithëve që t?u kthejë paqen dhe dinjitetin atyre zonave. Në emër të Zotit kërkojmë të ulen armët e të kërkohet paqe dhe bashkëjetesë.

I bëjmë gjithashtu apel Faktorit Ndërkombëtar, që të gjejë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të ndalet fenomeni i largimit dhe i shpërnguljes me dhunë të banorëve të Mosulit dhe të rrethinave për shkak të besimit të tyre. Ne besojmë ngultësisht se e drejta e besimit është një e drejtë themelore e njeriut. Ne i gëzohemi kësaj të drejte në Shqipëri dhe një realiteti, që besimet fetare kanë ndërtuar e vazhdojnë të ndërtojnë me shumë mund në vendin tonë. Duam t?u themi të gjithëve se është e mundur të jetojmë bashkë, duke ndihmuar njëri-tjetrin e duke respektuar njëri-tjetrin pavarësisht besimit, etnisë apo racës.

Ndërkohë shprehim solidaritetin tonë me të gjithë ata që vuajnë, jo vetëm në Irak, por në të gjitha vatrat e konfliktit në Lindjen e Mesme e u sigurojmë atyre lutjen dhe afërsinë tonë shpirtërore.

2014

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English