Home
In memoriam

In memoriam

Homeli në funeralin e dy vëllezërve të vrarë në Gramzë

By Mons. George Frendo O.P.

Vdekja është gjithmonë një lajm i keq, veçanërisht kur është vdekja e një personi që e kishim më afër: anëtar i familjes apo një mik i ngushtë. Është lajm më i keq kur është vdekja e një personi të ri në moshë. Është lajm edhe më i keq kur është një vdekje e papritmas, si kur ai person ka pasur një aksident ose një fatkeqësi tjetër. Por është lajm tmerrësisht i keq kur është një vrasje. Madje këtu sot kemi jo një, por dy persona të vrarë.
Këto shtatë ditë të fundit kanë qenë shtatë ditë tmerri. Para një jave në Laç janë vrarë dy burra. Para pesë ditëve kemi dëgjuar për një burrë të moshuar dhe tre të rinjtë që kanë abuzuar seksualisht me një vajzë minorene. Pardje janë vrarë, në një vend shumë afër kësaj kishe, këta dy vëllezër, Gazmendin dhe Xhontil. Gazmendin nuk e kam njohur, por Xhontilin e kam njohur për këta gjashtë vitet e fundit. Hera e fundit që ka qenë tek unë ishte vetëm para pesë javësh.
Nuk do të flas për viktimat e këtij krimi shumë të shëmtuar. E di se disa gazetarë janë përpjekur ta zëvendësojnë Zotin duke interpretuar kushtet e një ngjarjeje për të cilën nuk ishin të pranishëm dhe duke gjykuar dhe keqinterpretuar viktimat. Fatkeqësisht për disa persona shpifja nuk është mëkat, madje është një virtyt.
Por, po përfitoj nga rasti për të bërë disa reflektime të dobishme për shoqërinë tonë në ditët e sotme. Sepse jemi të zhytur në një shoqëri lajkatare, një shoqëri ku seksi dhe dhuna kanë marrë përparësi mbi çdo vlerë morale dhe familjare, një shoqëri që ka humbur drejtimin dhe vlerat që japin dinjitet jetës njerëzore.
Në vitin 1992 në Angli ka ndodhur një krim që tronditi gjithë shoqërinë angleze: një djalë dy vjeçar u vra në mënyrë barbare. E kush ishin vrasësit? Dy djem dhjetëvjeçar. Lexova një artikull shumë interesant në revistën serioze Tablet i shkruar nga një psikologe: ?Si mund një djalë dhjetëvjeçar të bëhet vrasës?? Pak kohë pas vrasjes, Kardinali Basil Hume dhe Rabbi Jonathan Sacks, dy zëra ?profetikë? të shoqërisë angleze të asaj kohe, kërkuan ngritjen e një komisioni mbretëror për të hetuar mbi shkaqet e dhunës së kësaj shoqërie. Por kërkesa e tyre u injorua. Në një intervistë dhënë gazetës The Independant të Londrës, Kardinali Basil Hume, duke përmendur këtë vrasje, komenton: ?Një shoqëri e cila papritur sheh veten e saj në pasqyrë dhe nuk i pëlqen çka sheh në pasqyrë, ose do t?i ngrejë supet dhe largohet, ose qëndron për të pyetur veten: Pse??
Pardje në Tiranë është bërë një protestë kundër abuzimit seksual me të miturit. Sinqerisht rrefej se me vjen shumëkeq se nuk kam qenë edhe unë në atë protestë. Ishte rast jo vetëm për të treguar solidaritet me viktimen, por edhe për të shprehur vendosmerinë tonë që duam ta mbrojmë dinjitetin e vajzave tona. Vajzat tona nuk jane një loder. Është një person me një dinjitet të veçantë dhe të pazevendësueshme. Por përballë abuzimeve dhe krimeve të mëdha që po ndodhin në shoqërinë tonë nuk duhet të kënaqemi me protestat, duke kërkuar cilat persona ose institucionet do të akuzojmë si shkaktarët e këtyre krimeve. Më shumë duhet të pyesim: Pse? Pse po ndodhin këto krime? Dhe çfarë duhet të bëjmë ne për të ndaluar këto krime? Kjo është tragjedia e madhe e shoqërisë së sotme: sepse nuk ka guximin dhe ndershmërinë të pyesë veten: ?Pse?? Ekziston një ndjenjë frike në këtë pyetje, pasi është një pyetje e papëlqyeshme. Është pikërisht frika nga përgjigja e kësaj pyetje. Dhe kur një shoqëri nuk kërkon Pse-në e plagëve të saj, kjo do të thotë që ajo nuk dëshiron të shërohet nga këto plagë. Cilat janë shkaqet e kësaj dekadence morale në shoqëri? Një rritje e tmerrshme në krim: vrasje, vetvrasje, vjedhje, dhunë fizike, abuzime seksuale, droga? A guxojmë të pyesim për shkaqet?
Duke pasur parasysh abuzimet seksuale edhe me të miturit, a kuptojmë rolin negativ të pornografisë shumë të përhapur jo vetëm në kinema, por edhe në televizor, në internet, në facebook, edhe në gazetat e përditshme? Ka gazeta që përpiqen të bëhen më popullore duke prezantuar vajzat sexy, të zhveshur.
Mjetet e komunikimit paraqesin modele të reja për jetën. Nuk janë shenjtërit, as mendimtarët e mëdhenj, as heronjtë. Janë personat e ekranit, të rinjtë e të rejat që shihen në ?Big Brother?, vajzat dhe djemtë sexy. Ndërsa krishterimi na paraqet modele të ndryshme, njerëz që kanë kërkuar të vërtetën, kanë jetuar për të vërtetën, disa kanë edhe vdekur për të vërtetën.
Por duke pasur në mesin tonë kufomat e dy vëllezërve të vrarë, le të pyesim: Kaq vlerësohet jeta njerëzore, saqënjeriu vritet lehtësisht kinse ishte një mizë? Kanë ndodhur vrasje për arsye më banale. Për tre muaj kemi bërë kaq shumë sakrifica për të parandaluar infektimin me koronavirusin, kemi sakrifikuar edhe kremtimet e meshave në kishat tona, sepse kemi vlerësuar aq shumë jetën njerëzore. Por çfarë mund të bëjmë për të parandaluar vrasjet, për të mbrojtur më shumë jetën njerëzore, për të mësuar qytetarët tanë të vlerësojnë jetën njerëzore?
Mos të drejtojmë gishtin akuzues drejt personave të tjerë. Le ta drejtojmë drejt vetvetes. Të gjithë jemi fajtorë. Çfarë u kemi mësuar fëmijëve tanë? Të shmangin shoqërinë e atyre që në i quajmë gabel, ose zezak, ose fshatarë, ose malok? I kemi mësuar të hakmerren? Në këtë mënyrë i kemi formuar fëmijët tanë? Po në shkollat, i kemi mësuar të dallohen në lendet shkollore, pa i formuar në vlerat morale?
Kjo është kriza e shoqërisë së sotme: largimi nga Ai që i dha njeriut një dinjitet të veçantë kur e krijoi në përngjasimit të vet. Më lejoni të citoj fjalët e Papa Palit VI, që tha: ?Njeriu mund ta ndërtojë botën pa Zotin. Por në këtë rast do ta ndërtonte për shkatërrimin e vet. Një humanizëm i pavarur nga Zoti është një humanizëm çnjerëzor.?
Dhe në fund kam dy fjalë për ju, familjarë të viktimave. Së pari: Sa shumë njerëz kanë ardhur sot për këtë funeral! Sa shumë ju kanë përsëritur fjalët si: ?Të rroni vetë!? ?Ngushëllime!? në një rast tragjik si ky, shumë njerëz tregojnë solidaritetin e tyre me ju. Por, le të jemi të sinqertë: a ju ngushëllojnë fjalët e tilla, duke pësuar aq shumë dhimbje në këtë situatë tragjike? Jo. Unë them se vetëm një gjë mund t’ju ngushëllojë: feja juaj. Leximet që keni dëgjuar ju tregojnë rrugën për një ngushëllim të vërtetë.
Së dyti: Natyra jonë na shtyn për hakmarrje, por feja jonë për falje. Nuk është e lehtë të falësh, madje është shumë e vështirë. Por Krishti na fton për një dashuri heroike, që fal. Falja nuk është për frikacakët. Vetëm njeriu i fortë mund të falë. Jezusi na ka mësuar si të lutemi, dhe në atë lutje që na ka mësuar na tha të themi: ?Na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë?. Dhe këtë mësim Ai e ka forcuar me shembullin e vet. Fjala e parë që Ai ka thënë kur ishte në kryq ishte: ?Fali, o Atë!? Dhe vetëm pastaj tha: ?Gjithçka u krye?. ?Gjithçka u krye?, sepse jo vetëm kam kryer vullnetin tënde, o Atë, por edhe kam falur xhelatët që më kanë çuar në këtë situatë.

Shpërndarja tregon përkujdesje!

English
%d bloggers like this: