Home
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare në Gjermani

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare në Gjermani

Në datat 3-7 tetor 2021 është zhvilluar në Lindau, Gjermani, Konferenca Ndërkombëtare e Këshillit Botëror të Liderëve Fetarë mbi Besimin dhe Diplomacinë ?Brezat në Dialog?, mbështetur nga qeveria gjermane. Për shkak të pandemisë dhe masave të marra, konferenca është mbajtur në mënyrë hibride (me pjesëmarrje fizike dhe shumica online) me përfaqësues zyrtarë nga këshillat ndërfetarë nga shtete të ndryshme, përfaqësues nga bota akademike, institucione qeveritare dhe civile, si dhe organizata të paqes dhe dialogut nga e gjithë bota.

Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë ishte i ftuar me kumtesë në një nga seancat shkencore të konferencës, dedikuar humanitarizmit dhe rolit të komuniteteve fetare gjatë kohës së pandemisë në këtë fushë. Ai është ndalur fillimisht në modelin e dialogut ndërfetar në Shqipëri dhe më pas ka folur për kontributin e komuniteteve fetare dhe bashkëpunimin me organizatat e ?Këshillit Botëror të Liderëve Fetarë? dhe ?Fetë për Paqen? për implementimin e një ndihme humanitare për disa qindra familje në nevojë në Shqipëri gjatë vitit 2020, ku të rinj dhe të reja myslimanë dhe të krishterë u angazhuan vullnetarisht për shpërndarjen e ndihmave në disa zona të vendit, kryesisht në familje me jetimë dhe ata të prekur nga tërmeti i fundvitit 2019.

Gjatë katër ditëve të konferencës, kumtues nga e gjithë bota kanë vënë theksin në rolin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërfetar në zbutjen e plagëve të shoqërisë botërore, siç janë krizat humanitare, ekologjia, pandemia, konfliktet dhe dhuna, arsimi, etj., duke i bërë thirrje qeverive dhe organizatave ndërkombëtare për më shumë vëmendje dhe përkushtim ndaj humanizmit.

Share shows care!

English