Home
Deklaratë e përbashkët për veprime të koordinuara në luftën kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje

Deklaratë e përbashkët për veprime të koordinuara në luftën kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje

MINISTRIA E MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË, në cilësinë e autoritetit përgjegjës për koordinimin e veprimeve për barazinë gjinore dhe kundër dhunës ndaj grave e dhunës në familje dhe përfaqësuesit e KOMUNITETEVE FETARE në Shqipëri,

  • duke njohur dhe pranuar detyrimin e shtetit për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas të gjitha akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi;
  • duke besuar dhe vlerësuar bashkëjetesën e tolerancën fetare si një vlerë, jo vetëm historike, por edhe aktuale të shoqërisë sonë dhe si një ndër elementët kyç për t?iu kundërvënë bashkarisht ndaj dhunës,
  • duke e trajtuar dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, si shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, ndaj të cilave të gjithë duhet të reagojnë me përgjegjshmëri, seriozitet e profesionalizëm;
  • duke vlerësuar efektivitetin e përpjekjeve të përbashkëta e të mirëkoordinuara, si dhe kontibutin e rëndësishëm të të gjithë aktorëve për një shoqëri në paqe, tolerancë e pa dhunë;

BASHKOHEN NJËZËRI DHE ANGAZHOHEN PËR:

  • Planifikimin e veprimeve të koordinuara në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje,
  • Mbështetjen dhe lehtësimin e veprimeve kombëtare edukuese për rëndësinë e krijimit të familjeve të shëndosha, ku mbizotëron paqja, respekti, dashuria, vlerësimi dhe mundësitë e barabarta për secilën(in) anëtar(e) të saj,
  • Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe komuniteteve fetare, për të nxitur pjesëmarrjen e sa më shumë të rinjve dhe të rejave besimtarë, në koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve të tilla,
  • Organizimin e aktiviteteve të veçanta me komunitetet e besimtarëve Myslimanë, Ortodoksë, Katolikë, Bektashianë e Ungjëllorë, me synim transmetimin e sa më shumë mesazheve të përbashkëta kundër dhunës ndaj grave e vajzave dhe dhunës në familje,
  • Identifikimin e djemve dhe burrave besimtarë, që mbështesin qëllimin e kësaj deklarate dhe angazhohen për të sjellë ndryshim në komunitet,
  • Planifikimin e një jave kombëtare (ose një dite në muaj), të lutjeve për viktimat, dëshmitarët dhe autorët e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në kuadër të fushatave të përvitshme të ndërgjegjësimit të publikut, që organizohen për këtë qëllim,
  • Organizimin e lëvizjes ?Lutja e Burrave?, përmes së cilës burrat e përkatësive të ndryshme fetare të mund të mblidhen nëpër xhami, kisha dhe hapësira të tjera fetare, për t?u lutur për t?i dhënë fund dhunës, për të gjetur forca për të ruajtur paqen në familje dhe për të shprehur angazhimin e tyre për sigurinë dhe fuqizimin e grave,
  • Nxitjen e liderëve fetarë për të mbështetur dhe promovuar edukimin e besimtarëve në mbarë vendin me vlerat e tolerancës, respektit dhe kundër dhunës e diskriminimit, duke u angazhuar publikisht në fushatën ?Ai për Atë? (?HeforShe?).
  • Harmonizimin e zhvillimit të aktiviteteve të sipërpërmendura (si dhe të aktiviteteve të tjera, që mund të planifikohen në vazhdimësi) me aktivitetet e planifikuara në ditë të shënuara fetare (Bajram, Pashkë, Krishtlindje, Nevruz, etj),
  • Vlerësimin e hapave të ndërmarrë dhe forcimin e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të eksperiencave në aktivitete të përbashkëta të përvitshme,
  • Vënien në dispozicion të burimeve të nevojshme njerëzore e financiare për t?u përkushtuar maksimalisht në arritjen e qëllimeve të kësaj deklarate,
  • Shkëmbimin e informacionit mbi shërbimet e ngritura, apo që mund të ngrihen nga komunitetet fetare në mbështetje të grave dhe vajzave, apo individëve në nevojë, dhe aplikimin e standarteve të duhura në ofrimin e këtyre shërbimeve.

Ne besojmë dhe promovojmë vlerat e një familjeje të shëndoshë, ku nëna, bija, motra, bashkëshortja respektohen dhe nuk dhunohen, ku fëmijët rriten me dashuri dhe përkushtim, ku të moshuarit, apo të sëmurët ndjehen të rrethuar me mbështetje e kujdes, ku përcillet mirënjohje, pranim, harmoni, vlerësim, tolerancë, dinjitet e barazi!

Prandaj, të bindur se veprimet kundër dhunës në familje janë rruga drejt paqes në shoqëri, ne angazhohemi të bëjmë realitet përpjekjet  tona të përbashkëta TANI!

 

Tiranë, 25 Nëntor 2015

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English