Home
Zhvillohet Simpoziumi i XIV Akademik Ndërfetar

Zhvillohet Simpoziumi i XIV Akademik Ndërfetar

TIRANË, 29 prill 2026 – Në ambientet e Kolegji Universitar Bedër u zhvillua Simpoziumi i XIV Akademik Ndërfetar dhe Ndërteologjik me temë “Roli i Krishterimit dhe Islamit në Trajtimin e Çështjeve Klimatike”, duke mbledhur drejtues të komuniteteve fetare, akademikë, studiues dhe studentë të teologjisë islame dhe asaj të krishterë në një platformë të përbashkët dialogu dhe reflektimi mbi një nga sfidat më urgjente të kohës sonë.

Ky simpozium, organizuar në kuadër të projektit Erasmus+ “Facing Global Challenges, Environmental and Peace Education in Interreligious Cooperation for Religious Teacher Training”, është tashmë një traditë e konsoliduar e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ai organizohet nga tre institucione teologjike akademike në Shqipëri: Departamenti i Shkencave Islame në Kolegji Universitar Bedër, Departamenti i Teologjisë dhe Kulturës në Kolegji Universitar Logos, si dhe Instituti i Filozofisë dhe Teologjisë Katolike në Seminarin Ndërdioqezan. Pas bashkëpunimeve të para që nisën mbi dy dekada më parë dhe zhvillimit të simpoziumit të parë të këtij lloji në vitin 2015, kjo nismë ka sjellë deri tani 14 edicione të suksesshme të dedikuara dialogut ndërfetar dhe çështjeve me rëndësi shoqërore.

Ceremonia e hapjes nisi me një dokumentar mbi bashkëpunimin akademik ndër vite, realizuar me mbështetjen e programit GERIS të Bashkimit Evropian. Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga Prof. Dr. Gjergji Sinani, H. Taulant Bica, Fortlumturi Joani, Mons. Gjergj Meta, H. Dede Edmond Brahimaj, si dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja.

Në fjalët e tyre përshëndetëse, përfaqësuesit fetarë dhe akademikë theksuan se ndryshimet klimatike përbëjnë jo vetëm një sfidë mjedisore, por edhe morale e njerëzore, duke kërkuar përgjigje të përbashkëta të bazuara në solidaritet, përgjegjësi dhe respekt ndaj krijimit. U nënvizua se traditat fetare ofrojnë vlera të rëndësishme si kujdesi, maturia, drejtësia dhe bashkëpunimi, të cilat mund të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.

Rektori i KU Bedër Prof. Sinani, vuri theksin mbi rolin e universiteteve dhe dialogut akademik e ndërfetar në trajtimin e krizës klimatike dhe sfidave globale. Ai tha se feja ka një rol të rëndësishëm në ngritjen e ndërgjegjes njerëzore përtej interesit material dhe përfitimit personal, duke ndihmuar njerëzit të reflektojnë mbi përgjegjësinë ndaj tokës dhe krijimit. Ai nënvizoi se njerëzimi ka dëmtuar natyrën përmes përdorimit dhe abuzimit të papërgjegjshëm të dhuratave të Zotit. Problemet ekologjike lidhen me ndotjen, humbjen e biodiversitetit, pabarazitë globale dhe “globalizimin e indiferencës”, që konsiderohet një rrezik për shoqërinë moderne.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes fesë dhe shkencës, edukimit ekologjik dhe zhvillimit të një spiritualiteti, që forcon lidhjen midis njerëzimit dhe mjedisit.

Nënkryetari i KMSH-së z. Taulant Bica, në fjalën e tij përshëndetëse, nënvizoi se ndryshimet klimatike janë tashmë një realitet që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme, duke e kthyer këtë sfidë në një çështje morale. Duke u ndalur në këndvështrimin islam, ai theksoi se marrëdhënia e njeriut me natyrën është e ndërtuar mbi përgjegjësinë. Ai solli në vëmendje edhe mesazhin kur’anor, që ndalon prishjen e ekuilibrit të krijimit, si dhe mësimet profetike që nxisin vetëpërmbajtje dhe ndërgjegje ekologjike në përdorimin e burimeve natyrore.

 

Kryepeshkopi i KOASH-it, Fortlumturi Joani theksoi përgjegjësinë shpirtërore dhe morale të njeriut ndaj natyrës dhe krijimit. Ai tha se, se toka nuk është pronë e njeriut, por dhuratë e Zotit, ndaj njerëzit janë kujdestarë dhe jo pronarë të saj. Kriza ekologjike dhe ndryshimet klimatike paraqiten jo vetëm si probleme teknike apo shkencore, por si pasoja të largimit të njeriut nga Perëndia dhe të egoizmit njerëzor, ndërsa respekti ndaj natyrës është pjesë e besimit dhe traditës prej shekujsh. Në përfundim ai bëri thirrje për një ndërgjegje ekologjike të gjallë dhe për një dashuri më të gjerë njerëzore, që shtrihet jo vetëm te fqinji, por tek gjithë njerëzimi dhe krijimi.

Mons. Gjergj Meta, kreu i KISH, theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar në trajtimin e çështjeve klimatike, duke nënvizuar se ndryshimet klimatike nuk janë vetëm problem shkencor, por një sfidë që kërkon bashkëpunim ndërdisiplinor. Religjionet mund të japin kontributin e tyre etik dhe shpirtëror, duke reflektuar mbi atë që Zoti kërkon nga njerëzimi në raport me natyrën dhe përgjegjësinë ndaj saj.

 

Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj theksoi rëndësinë e harmonisë ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke e konsideruar ruajtjen e mjedisit si detyrim moral dhe shpirtëror. Në kohën e krizës klimatike, fetë kanë përgjegjësi të luajnë rol aktiv në ndërgjegjësimin moral dhe mbrojtjen e krijimit. Ruajtja

e mjedisit është një detyrim shpirtëror dhe moral dhe dëmtimi i natyrës konsiderohet shkelje e amanetit hyjnor.

Kjo qasje thekson se marrëdhënia e njeriut me natyrën është e pandashme nga zhvillimi i tij shpirtëror dhe etik. Kujdesi për tokën, ujin dhe çdo formë jete është s

hprehje e drejtësisë dhe e devotshmërisë, ndërsa shpërdorimi dhe shkatërrimi bien ndesh me parimet themelore të besimit. Në këtë kuptim, edukimi i besimtarëve dhe ndërgjegjësimi i komunitetit bëhen thelbësore për ndërtim

in e një kulture përgjegjësie dhe qëndrueshmërie, ku njeriu jeton në harmoni me krijimin dhe kontribuon për të ardhmen e përbashkët të njerëzimit.

Ndërsa Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, drejtor i Qendrës Kërkimore për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Dialog në Universitetin Bedër dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së,  theksoi se Simpoziumi i XIV Ndërfetar dëshmon vazhdimësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, duke vënë në qendër rolin e Krishterimit dhe Islamit në përballimin e sfidave klimatike. Ai nënvizoi se ndryshimet klimatike nuk janë vetëm çështje mjedisore, por edhe morale e shpirtërore, ku fetë ofrojnë vlera përgjegjësie, kujdesi dhe drejtësie. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e traditës shqiptare të harmonisë ndërfetare dhe nevojën për angazhim konkret në mbrojtje të mjedisit.

Folësja kryesore e aktivitetit ishte Prof. Sylvia Inou Tchatchoua, e cila solli perspektiva ndërkombëtare mbi edukimin ndërfetar dhe përgjegjësinë ekologjike. Më pas ajo solli një risi në këtë edicion me një format interaktiv, me punëtori studentore, ku studentët e tre teologjive bashkëpunuan në grupe pune dhe prezantuan idetë e tyre mbi rolin e fesë, edukimit dhe përgjegjësisë qytetare për klimën.

Në vijim u zhvillua seanca shkencore, e moderuar nga PhD Cand. Oltion Kola, me pjesëmarrjen e Thoma Çomënit nga Kolegji Universitar Logos, Dom Simo Ljuljić, drejtor i Institutit të Filozofisë dhe Teologjisë Katolike, si dhe Rudina Çinarit nga Kolegji Universitar Bedër. Kumtesat trajtuan mbrojtjen e mjedisit dhe sfidat ekologjike nga këndvështrimi teologjik dhe etik.

Gjatë diskutimeve me stafin akademik u theksua se ky bashkëpunim ndërmjet tri institucioneve përfaqëson një model unik shqiptar, i cili duhet ruajtur, dokumentuar dhe promovuar edhe ndërkombëtarisht. U propozuan nisma të reja si botime të përbashkëta akademike, si dhe trajtimi i temave të reja si drejtësia sociale, inteligjenca artificiale, migrimi dhe përgjegjësia etike.

Në kuadër të simpoziumit u çel gjithashtu ekspozita e bashkëpunimit ndërfetar midis komuniteteve fetare dhe institucioneve akademike të themeluara prej tyre.

Në përmbyllje, pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata dhe dhurata për fituesit e një konkursi të zhvilluar në përfundim të simpoziumit. Ata vlerësuan se harmonia ndërfetare shqiptare mbetet një pasuri kombëtare që mund të shërbejë si model edhe për rajonin. U theksua gjithashtu se dialogu ndërfetar mund të kontribuojë jo vetëm në paqen mes njerëzve, por edhe në paqen me natyrën dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për brezat që vijnë.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English