Në përfundim të shërbimit të tij si Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Mons. Angelo Massafra organizoi një ngjarje të veçantë, fillimisht një koncert dhe më pas një takim vëllazëror me përfaqësues dhe drejtues të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe komuniteteve fetare në vendin tonë. Në këtë mbrëmje, morën pjesë Mons. Gjergj Meta, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (2025) dhe njëkohësisht Kryetar i Konferencës Ipeshkvore, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, H. Taulant Bica, nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Prof. Asoc. Genti Kruja, Atë Aleksandër Petani, përfaqësues i Kishës Ortodokse, Shkodër, si dhe Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i ri i Arqidioqezës Metropolitane Shkodër-Pult.
Gjatë këtij takimi përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare vlerësuan punën ndër vite të Mons. Massafras në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë dhe sidomos kontributin e tij në forcimin dhe promovimin e dialogut ndërfetar në Shkodër dhe përtej saj. Gjatë shërbimit të tij, Mons. Massafra ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, duke inkurajuar një frymë paqeje dhe harmonie, si dhe duke krijuar mundësi për takime dhe aktivitete, që janë bërë një model për qytetin e Shkodrës dhe përtej saj.
Një nga arritjet më të rëndësishme të Mons. Massafrës ka qenë angazhimi i tij i palodhur për të nxitur respektin dhe mirëkuptimin ndërmjet besimeve të ndryshme fetare. Në këtë kontekst, ai ka organizuar dhe mbështetur iniciativa, që kanë pasur si qëllim promovimin e dialogut dhe të bashkëjetesës ndërfetare. Mons. Massafra para përfundimit të detyrës së tij, si Arqipeshkv i Dioqezës Shkodër-Pult, ai ka përfaqësuar Kishën Katolike në Shqipëri si anëtar i Bordit të Presidencës në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë.
Me këtë rast Mons. Massafra ka shtruar dhe një darkë për miqtë e tij nga komunitetet e ndryshme fetare, ku në fjalën e tij përshëndetëse ai ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e besimeve fetare, që kanë mbështetur dhe bashkëpunuar me të gjatë gjithë periudhës së tij si Arqipeshkëv, duke theksuar se dialogu ndërfetar është një proces i vazhdueshëm dhe i domosdoshëm për të ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe paqësore. Ai ka shprehur mirënjohjen për punën e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërfetar dhe ka theksuar nevojën për të vazhduar këtë traditë edhe në të ardhmen.
Në emër të KNFSH-së atij i është dhuruar dhe ?Shqiponja e Argjendtë? për kontributet e tij të veçanta në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit të tij ndërfetar, ndërsa Mons. Massafra i ka dhuruar botimet e tij të fundit kolegëve dhe miqve të tij të ftuar.
Ky takim, i mbushur me reflektime mbi rrugëtimin e përbashkët dhe angazhimin për një shoqëri më të bashkuar dhe paqësore, ishte një mundësi e shkëlqyer për të vlerësuar kontributin e pazëvendësueshëm të Mons. Massafrës në promovimin e harmonisë ndërfetare./05.01.2025