Home
Kreu i KNFSH-së, Mons. Gjergj Meta uron Kryepeshkopin e ri të KOASH, Hirësi Joanin

Kreu i KNFSH-së, Mons. Gjergj Meta uron Kryepeshkopin e ri të KOASH, Hirësi Joanin

Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Mons. Gjergj Meta me anë të një shkresë të datës së sotme, më 16 mars 2025 ka përcjellë urimet e tij kreut të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Fortlumturisë së tij Joanit, i cili u zgjodh në krye të KOASH-it nga Sinodi i Shenjtë i tij.

Në këtë shkresë ai i drejtohet, duke thënë:

Fortlumturia Juaj,

I dashur vëlla Joan, 

Me gëzim të madh mora lajmin e zgjedhjes Tuaj nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Gëzohem bashkë me Ju Fortlumturi e me të gjithë besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë e Ju bëj urimet më të sinqerta e vëllazërore, në emër të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë! I denjë!

Fortlumturi e nderuar, janë ende të freskëta në secilin prej nesh ditët që shoqëruam me lutje, në sëmundje dhe në momentin e fjetjes me Zotin, Fortlumturinë e Tij, Anastasi. Figura e tij është dhe mbetet një gurthemeli, jo vetëm për Kishën Orthodhokse, por për të gjithë kombin tonë e për bashkësitë fetare në vend.

Tani Kisha Orthodhokse ka një Barit të ri e ne të gjithë kemi fituar një bashkëudhëtar tjetër në rrugën e dialogut ndërfetar në vendin tonë. E lusim Hyji, që të qëndrojë gjithmonë mbi Ju e të jeni një Bari i mirë për besimtarët orthodhoksë e një zë i fuqishëm e bashkëpunues me të gjithë faktorët fetarë e civilë të shoqërisë tonë.

Po ashtu presim me padurim që të vazhdojmë së bashku punën në rrugën e dialogut dhe të harmonisë midis besimeve fetare në Shqipëri në kuadër dhe të rolit tuaj të ri si anëtar i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Zoti ju bekoftë!

2. Dom Gjergj Meta

Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë!

                                                                   

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English