Helsinki, 25–26 Shtator 2025 – Religions for Peace Europe dhe Këshillat Ndërfetarë të Europës mbajtën mbledhjen e tyre vjetore të Bordit në Helsinki në datat 25-26 shtator 2025. Takimi hibrid solli së bashku drejtues të këshillave ndërfetare të Europës, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Finlandën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Norvegjinë, Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) pjesë e këtij rrjeti, përfaqësohej nga Prof. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së dhe njëkohësisht President i Këshillave Ndërfetare të Evropës dhe Religions for Peace Europe.
Mbledhja e drejtuar nga Prof. Genti Kruja, president i RfP Europe u përshëndet nga Dr. Francis Kuria, Sekretar i Përgjithshëm i Religions for Peace International dhe u moderua nga Dr. Maria Leppäkari, Sekretare e Përgjithshme e RfP Europe. Në përfundim të dy ditëve mbledhje dhe diskutime, takimi është përfunduar me fjalët përmbyllëse të znj. Deepika Singh, Zëvendës-Sekretare e Përgjithshme e RfP International, e cila ofroi një platformë për dialog strategjik, rrjetëzim dhe reflektim mbi bashkëpunimin ndërfetar.
Përfaqësuesit e European National Interreligious Bodies (ENIB), European Council of Religious Leaders (ECRL), European Women of Faith Network (EWFN) dhe European Interfaith Youth Network (EIYN) shqyrtuan progresin e arritur, ndanë praktikat më të mira dhe diskutuan sfidat, që përballen zhvillimet ndërfetare në të gjithë kontinentin. Bordi gjithashtu eksploroi mundësi për të fuqizuar bashkëpunimin në nivel bazë, duke theksuar rolin e këshillave ndërfetarë, grave, të rinjve dhe udhëheqësve fetarë në ndërtimin e paqes dhe përfshirjen sociale.
Takimi evidentoi gjithashtu se si kontekstet rajonale – nga Evropa Jugore deri në vendet nordike – formësojnë bashkëpunimin ndërfetar, duke forcuar njëkohësisht qëllimet dhe vlerat e përbashkëta që lidhin degët kombëtare të ndryshme.
Prof. Kruja theksoi përgjegjësinë morale të komuniteteve fetare: “Udhëheqësit fetarë në Evropë duhet të luajnë një rol aktiv kundër padrejtësive dhe konflikteve, duke promovuar paqen, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor në të gjithë Evropën. Fetë kanë një rol jetik në promovimin e harmonisë, ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe kultivimin e paqes së qëndrueshme përmes veprimit kolektiv”, tha ai ndër të tjera ai.
Dr. Francis Kuria vuri theksin mbi fushatën Shared Sacred Flourishing: “Ai na thërret të nderojmë të shenjtën në çdo jetë, të ndërtojmë komunitete gjithëpërfshirëse, të mbrojmë mjedisin dhe të ndërtojmë paqe të qëndrueshme. Në Evropë, ky vizion i përbashkët na sfidon të bashkëpunojmë më thellë dhe të forcojmë kohezionin shoqëror.”
Bordi gjithashtu shqyrtoi iniciativa të reja bashkëpunimi me institucione si Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian dhe OSBE, duke synuar zgjerimin e ndikimit të angazhimit ndërfetar në nivele ndërkombëtare. Mbledhja përfundoi me një deklaratë të përbashkët për shtyp, duke riafirmuar angazhimin e RfP Europe dhe strukturave të saj për të promovuar një vizion të bashkuar për Evropën, ku komunitetet fetare punojnë së bashku për të kultivuar paqen, drejtësinë dhe përgjegjësinë e përbashkët për të mirën e përbashkët.