Home
KNFSH në ceremoninë e fronëzimit të Papa Leonit XIV në Vatikan

KNFSH në ceremoninë e fronëzimit të Papa Leonit XIV në Vatikan

Vatikan, 18 maj 2025 – Një delegacion i lartë i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) mori pjesë në ceremoninë solemne të fronëzimit të Papa Leonit XIV, e cila u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të mijëra besimtarëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare nga mbarë bota.

Delegacioni shqiptar përbëhej nga Mons. Gjergj Meta, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësia Nikolla, përfaqësues i Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturi Joanit, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH), dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së dhe njëkohësisht President i organizatës ndërkombëtare “Religions for Peace Europe”.

Pjesëmarrja e këtij delegacioni të lartë shqiptar u vlerësua si një dëshmi e fortë e harmonisë ndërfetare që karakterizon Shqipërinë dhe e përkushtimit të komuniteteve fetare shqiptare ndaj dialogut, bashkëpunimit dhe paqes. Delegacioni u prit me nderime nga autoritetet e Selisë së Shenjtë dhe zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të Kishës Katolike dhe komuniteteve të tjera fetare, si Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës Bartholomew, etj.

Pas ceremonisë, delegacioni shqiptar u përshëndet nga Cardinal Monsignor George Koovakad, Prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar në Vatikan (Dicastery for Interreligious Dialogue). Në emër të dikasterit që ai drejton, Kardinali Koovakad shtroi gjithashtu dhe një drekë zyrtare në nder të delegacionit ndërfetar, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare nga vende të ndryshme të botës.

Ky takim miqësor dhe simbolik u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dialogu dhe respekti të ndërsjellë, duke theksuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërfetar në promovimin e paqes globale, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të çdo komuniteti.

Fronëzimi i Papa Leonit XIV shënon një kapitull të ri në udhëheqjen shpirtërore të Kishës Katolike, ndërsa prania dhe angazhimi i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në këtë moment historik është një dëshmi e qartë e modelit unik të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare që ofron Shqipëria.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English