Home
KNFSH fushatë për promovimin e harmonisë ndërfetare

KNFSH fushatë për promovimin e harmonisë ndërfetare

Tiranë, 17 tetor 2025 – Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH), në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE) dhe HEDAYEH (International Center of Excellence for Countering Extremism and Violent Extremism), organizuan më 17 tetor 2025 në Tiranë aktivitetin prezantues të katër fushatave të komunikimit, në kuadër të projektit “Shpërndarje mesazhesh për udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri”. Projekti mbështetet nga Programi i Bashkimit Evropian për Forcimin e Rezistencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm (BE-STRIVE II).

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, komuniteteve fetare, organizatave të shoqërisë civile, të rinj, gra dhe media, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm bashkëpunimi, respekti dhe harmonie ndërfetare.

Të pranishmit u përshëndetën nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, znj. Lejdi Dervishi, Koordinatore Kombëtare e Qendrës CVE, z. Davide Casale, përfaqësues i Bashkimit Evropian dhe znj. Irene Belmonte, menaxhere e Programit të BE-së për Forcimin e Rezistencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm (STRIVE Global), Hedayah.

Prof. Kruja përcolli gjithashtu dhe përshëndetjet dhe përgëzimet e Kryetarit të KNFSH-së Mons. Gjergj Meta e ndërkohë theksoi se nëpërmjet këtij programi synohet ndërtimi i urave të reja të komunikimit me të rinjtë, komunitetet dhe publikun e gjerë, përmes mesazheve që kundërshtojnë dhunën, ekstremizmin dhe gjuhën e urrejtjes. Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërfetar dhe përfshirja e liderëve fetarë në fushata të tilla janë thelbësore për forcimin e kulturës së bashkëjetesës dhe harmonisë.

Nga ana e saj, znj. Dervishi vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërkomunitar për ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për qytetarët, veçanërisht për brezat e rinj. Ajo prezantoi katër produktet mediatike të realizuara nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit, si rezultat i një procesi gjithëpërfshirës që synon krijimin e mesazheve pozitive dhe përfshirëse.

Davide Casale, përfaqësues i BE-së, vlerësoi harmoninë fetare unike në Shqipëri, si një vlerë e rrallë në botën e sotme, ndërsa znj. Irene Belmonte theksoi bashkëpunimin e qëndrueshëm midis BE-së, Hedayah-s dhe institucioneve shqiptare që prej vitit 2017, duke përmendur shembullin pozitiv të Shqipërisë në nxitjen e paqes dhe reziliencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Gjatë aktivitetit u prezantuan katër fushatat për shpërndarje mesazhesh, të realizuara nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit, që trajtojnë tema si bullizmi, roli i fesë në parandalimin e ekstremizmit, bashkëjetesa ndërfetare dhe rezistenca ndaj narrativave përçarëse, etj. Përmes videove, dëshmive personale dhe podkasteve, u përcollën përvoja frymëzuese mbi fuqinë e komunikimit pozitiv dhe vlerave të përbashkëta njerëzore.

Përfaqësues të komuniteteve fetare dhe Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë prezantuan fushatat e tyre, duke theksuar rolin e udhëheqësve fetarë në forcimin e rezistencës komunitare.

Në përfundim, u prezantua strategjia e shpërndarjes së fushatave në media dhe rrjete sociale, me qëllim që mesazhet pozitive të arrijnë një audiencë sa më të gjerë në mbarë vendin, me fokus të veçantë tek të rinjtë.

Ky aktivitet pasqyroi edhe një herë frymën unike të harmonisë fetare në Shqipëri – një model i çmuar për rajonin dhe më gjerë, fryt i të cilit është edhe vetë ekzistenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. (Foto Andrin Hoxha, ATSH, Hedayeh, CVE)

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English