Home
DEKLARATË PËR SHTYP

DEKLARATË PËR SHTYP

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes – 15 Maj 2026

Të nderuar qytetarë, besimtarë, shtetas Shqiptar të kudondodhur të Republikës së Shqipërisë,

Në këtë ditë të veçantë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bashkohet komunitetit ndërkombëtar në kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, një ditë që na kujton rolin themelor dhe të pazëvendësueshëm të familjes në jetën e çdo shoqërie.

Familja është themeli i vlerave njerëzore, i edukimit moral dhe shpirtëror, si dhe hapësira e parë ku njeriu mëson dashurinë, respektin, përgjegjësinë dhe solidaritetin. Në traditat tona fetare dhe shpirtërore, familja konsiderohet një amanet i shenjtë, një vend ku jeta merr kuptim dhe ku ndërtohet paqja e brendshme e individit dhe e shoqërisë.

Në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të shumta, të natyrës sociale, ekonomike dhe kulturore, ne theksojmë se forcimi i familjes mbetet një nga rrugët më të sigurta për forcimin e vetë shoqërisë. Çdo vështirësi e jetës është kalimtare, por vlerat e bashkimit, dashurisë dhe mirëkuptimit në familje janë ato që mbeten dhe trashëgohen ndër breza.

Në këtë frymë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të familjes së bashkuar, përballë çdo sfide që mund ta cenojë atë, qoftë në aspektin social, kulturor apo ligjor, si dhe ndaj çdo prirjeje apo politike, që dobëson rolin e familjes tradicionale si themel i shoqërisë. Ne besojmë se mbrojtja e familjes nuk është vetëm një çështje e besimit dhe e moralit, por edhe një përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe kombëtare.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u bën thirrje të gjitha familjeve, institucioneve dhe komuniteteve që të punojnë së bashku për të mbrojtur dhe forcuar familjen, si bërthama e paqes, edukimit dhe harmonisë shoqërore.

Në këtë ditë të shënuar, ne shprehim urimet tona më të përzemërta për çdo familje shqiptare, duke lutur Zotin, që paqja, shëndeti dhe begatia të jenë pjesë e përditshme e çdo vatre familjare.

BORDI I PRESIDENCËS së KNFSH-së

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English