Home
Zhvillohet mbledhja e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar

Zhvillohet mbledhja e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar

Më 18 nëntor 2025 u zhvillua mbledhja e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH). Takimi u hap dhe u drejtua nga Kryetari i KNFSH-së, Mons. Gjergj Meta, i cili në fjalën e tij përshëndetëse bëri një homazh për Kryepeshkopin e ndjerë Anastas, i cili ishte një ndër etërit themelues të KNFSH-së në 2007. Më pas ai i uroi mirëseardhjen në Bordin e Presidencës Kryepeshkopit të ri, Fortlumturi Joanit, Kryepiskop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Pastor Erion Sylarit, kreut të ri të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. Ai falënderoi gjithashtu Pastor Ergest Bitin, ish kreun e VUSH-it, anëtar i Bordit të Presidencës deri në takimin e fundit të Bordit të Presidencës.

Në vijim, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja bëri prezantimin e aktiviteteve të zhvilluara gjatë vitit 2025, duke evidentuar ngjarje të rëndësishme për nxitjen e dialogut ndërfetar, si dhe iniciativat e përbashkëta në fusha që prekin komunitetin e gjerë shoqëror dhe sidomos të rinjtë dhe gratë e të gjitha komuniteteve fetare.

Diskutimet vazhduan mbi sfida të përbashkëta si çështja e pronave, taksave, mbështetja financiare nga shteti shqiptar, projektligji i fundit, etj. Anëtarët e Bordit të Presidencës vlerësuan aktivitetet e zhvilluara gjatë këtij viti dhe sidomos punën rigoroze zhvilluar nga Grupi i Punës me ekspertë të fushave të ndryshme lidhur me hartimin e raportit për projektligjin e fundit rreth “Barazisë gjinore”. Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua Planit Strategjik 2025-2028 të KNFSH-së, hartuar nga një grup pune me përfaqësues nga Bordi Ekzekutiv, Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë. Bordi i Presidencës falënderoi gjithashtu këtë grup pune për angazhimin dhe punën e bërë në hartimin e tij.

Më pas znj. Sheldiana Jano Agaraj paraqiti raportin e detajuar financiar dhe juridik për vitin 2025, duke sinjalizuar nevojën për rritjen e kapaciteteve financiare për të forcuar rolin dhe veprimtarinë e Këshillit Ndërfetar në vitet në vijim.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të pesë komuniteteve fetare të Shqipërisë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i përfaqësuar nga Haxhi Bujar Spahiu; Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, përfaqësuar nga Fortlumturia e Tij Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë; Kisha Katolike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Mons. Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2025; Kryegjyshata Botërore Bektashiane, e përfaqësuar nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj; si dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë (VUSH), përfaqësuar nga Pastor Erion Sylari.

Mbledhja e zhvilluar në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u mbyll në një atmosferë të ngrohtë e mirëkuptimi të ndërsjellë, duke dëshmuar edhe një herë se harmonia ndërfetare mbetet një vlerë e çmuar dhe e qëndrueshme e shoqërisë shqiptare.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English