Tiranë, 29 prill 2025 ? Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka zhvilluar mbledhjen e radhës së Bordit Ekzekutiv të KNFSH-së, mbajtur në ambientet e Arqipeshkvisë së Tiranës.
Në takimin e drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja ishin përfaqësuesit e pesë komuniteteve fetare për të diskutuar çështje me rëndësi të veçantë për komunitetet fetare dhe sociale në vend. Në fillim të takimit, Mons. Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës ka falënderuar KNFSH dhe lidershipin e të gjitha komuniteteve fetare për praninë dhe pjesëmarrjen në ceremoninë mortore të Papa Franceskut, duke vënë theksin edhe një herë në modelin e bashkëjetesës sonë fetare.
Në fokus të mbledhjes ishin pasqyrimi i raportit të aktiviteteve për 6 mujorin e fundit gjatë periudhës 2024-2025 dhe shqyrtimi i planit strategjik trevjeçar për periudhën 2025-2028, punuar nga një grup pune me anëtarë të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë. Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e dokumentimit të persekutimit të komuniteteve fetare gjatë regjimit komunist dhe bashkëpunimi me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe u propozuan mënyra konkrete për përfshirjen e dialogut ndërfetar dhe kontributit të komuniteteve fetare në disa nga muzetë e vendit.
Anëtarët e Bordit Ekzekutiv diskutuan gjithashtu mbi domosdoshmërinë e monitorimit të teksteve shkollore për të siguruar një pasqyrim të drejtë dhe gjithëpërfshirës të besimeve fetare. Në këtë kuadër, Komisioni i Arsimit i Këshillit Ndërfetar do të ndjekë nga afër këtë proces.
Në përfundim të mbledhjes, z. Kruja theksoi se:
?Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë mbetet një shembull unik i harmonisë ndërfetare në Evropë dhe më gjerë. KNFSH është vlerësuar si një model (best practice) në raportin e fundit mbi lirinë e besimit, botuar nga OSCE/ODIHR dhe së fundmi, KNFSH është bërë pjesë e rrjetit evropian për dialog ndërfetar në Këshillin e Evropës?.
Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e vazhdimit të iniciativave të përbashkëta dhe angazhimit të komuniteteve në përballje me sfidat sociale, kulturore dhe arsimore të kohës. Ata nënvizuan gjithashtu rolin e KNFSH-së si një platformë e qëndrueshme e dialogut dhe mirëkuptimit ndërfetar në shoqërinë shqiptare.