Home
Roli i Tolerancës Fetare në parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm

Roli i Tolerancës Fetare në parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm

Komiteti Shqiptar i Helsinkit zhvilloi ditën e sotme me dt. 8.09.2020 në ambientet e “Hotel Rogner” workshopin me temë: “Roli i Tolerancës Fetare për parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm” në kuadër të projektit “Aktivitete edukative të bazuara në vlera, për të parandaluar  Ekstremizmin e Dhunshëm tek të rinjtë në Shqipëri”.

Në aktivitetin e zhvilluar në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë morën pjesë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, përfaqësuesit e komuniteteve fetare të vendit, si z. Taulant Bica – nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Ylli Doçi – kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, At Grigor Pelushi – përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Motër Ermira Koleci – përfaqësuese e Kishës Katolike të Shqipërisë, znj. Sheldiana Agaraj – përfaqësuese e Kryegjyshatës Bektashiane, znj. Lejdi  Dervishi – kreu i Qendrës së Koordinimit Kombëtar Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendra CVE), si dhe anëtarë të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në KNFSH.

Përfaqësuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit njëkohësisht edhe moderatorja e këtij workshopi, znj. Miriam Neziri Angoni, gjatë fjalës së saj, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, si dhe vuri theksin mbi rëndësinë e platformave të tilla në përpjekjen e vazhdueshme për të kultivuar më tej mirëkuptimin dhe dialogun e ndërsjelltë në shoqëri dhe sidomos tek të rinjtë.

Në emër të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë z. Kruja foli rreth punës dhe veprimtarisë së KNFSH-së, rolit të institucioneve arsimore dhe akademike të komuniteteve fetare në promovimin e harmonisë ndërfetare dhe angazhimin së fundmi të rinisë dhe grave të komuniteteve fetare në forcimin e kësaj fryme.

Workshopi vijoi më tej me fjalën e përfaqësuesve të komuniteteve fetare, të cilët prekën aspekte të ndryshme të temës në fjalë, duke nxjerrë kështu përfundime të vlefshme në ruajtjen dhe dërgimin më tej të misionit të përbashkët të harmonisë ndërfetare të vendit tonë.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip